Murat Basha, letër gruas para pushkatimit

Një ditë para pushkatimit më 06.06.1945, Murat Basha (ushtarak i lartë në kohën e Zogut)i shkruan djalit Akil Basha dhe gruas Sadete Basha(Manoku-Frasheri), letrën e lamtumirës. Këto rreshta dhimbje e force janë përcjellë nga Murat Basha i Riu, nipi i tij përmes një postimi në “Facebook”.

Ah grue moje e zeza grue.

Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje, lot e vnerë d.m.th. qysh prej 7 prill 1939 edhe ti moj e bekume me gjith kalamajtë, vuajte, u mundove, u burgose, u internove u dogje dhe u përvlove që kështu edhe ti luftën tande e bane, e po perse? Për të fitu Lirinë. Kurse sot që pritshim me shiju të drejtën e djersës, të lotëve e të gjakut, përkundrazi paska qenë kadër me u ba kurban i mundimeve tona për të tjerët. Ani, ani, Sato e dashur, prap mos u dishpro po të lutem si ngahera banu burrneshë dhe qëndro, se unë po bi kurban i Lirisë shenjtë, mjafton që tan bota çeshtjen t’eme e din dhe e çmon fare mire. Porosi sa vijon:

I-Amanet kalamajt shum-shum e shum kujdes për fatin e Belës, vazhdimin e mirë, mbajtjen, edukimin e djemve edhe me ndonji zanat.

II-Borxhet po i dini vet, porse deri sa te rriten kalamajt jam i sigurt se s’ka me ju nga kush.

III-Mbasi shpija asht e juaja besoj se s’kan me ju nga, bani si te bani e Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqt ndokush nuk ka me ju lshue dorët.

IV-Qyqen Vako e mbani kudo që të jeni dhe vendoseni.

V-Dëshiroj që Vorri të mos më hupi.

VI-Teshat që kisha me vedi në burg e tregon lista e ngjitun.

VII-Me Metin takoni se mund t’u bajn hall e ndihmë.

VII- Robt në Klos i kujtoni e shkoni mirë me ta.

IX-Kto letra ju a nepni të adresuemve.

X-Nuk më vjen keq se pse po vdes, po hallin tuej e të rrethit familjes se në ç’gjendje po ju laj nuk po mund t’a përshkruj, po fuqimadhin Perëndi paçi ndihmë.

Pra edhe nji here po ju them e ju lutem shume gajret.Te zezen Nurije Rrapcos hallall, qafime, bekime. Lumbin e Tomin i qafoj me mall.

Poi nap fund tuke ju puth e përqafu, si gjithmonë në zemrën tande

Murat.

 

Edhe nji porosi: Vaje e gjame mos me ba, vetëm gajret.

 

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*