20 milionë euro bujqësinë, 38 mijë fermerë duhet të kenë pronësia mbi tokën, për të marrë para  

Janë 20 milionë euro subvencione në bujqësi, të vëna në dispozicion nga Qeveria nga cilat mund të përfitojnë rreth 38 mijë fermerë në të gjihë vendin. Por ata kanë një kusht për ti marrë këto investime, e ky kusht është pronësia mbi tokën. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, thekson se në ndër problematikat e hasura në terren është mungesa e certifikatës së pronësisë mbi tokën. “Gjithsesi ne kemi rreth 38 mijë fermerë të verifikuar aktivë tashmë në sistem, me numër NIPT-i, të cilët janë potencialë për të aplikuar, që do të thotë se ata mund të përmbushin kriteret.”-thotë Krifca. Janë 52 skema ku fermerët kanë mundësi të aplikojnë për financim dhe do të mbështeten 8 sektorë të ndryshëm. Në fazën e aplikimeve, fermerët nuk kanë nevojë për dokumente pasi gjithçka bëhet me vetëdeklarim.

Fermerët që kultivojnë të paktën 5 ha tokë bujqësore, në pronësi private ose me qira, do të subvencionohen në vlerën 25 mijë lekë për grurin dhe elbin, si dhe deri në 20 mijë lekë për thekrën, tërshërën dhe koçkullën. Fondet do të jenë të disponueshme edhe për zhvillimin e teknologjive të kultivimit, në mënyrë që bujqësia shqiptare të ketë mundësi të modernizohet dhe të sjellë inovacione. Qeveria ka përcaktuar se masa e financimit për sipërfaqe të mbjellë të jetë deri në 5 ha, me 100% të vlerës për hektar; mbi 5.0-10 ha (5 hektarët e dytë), të  rritet me 25% të vlerës për hektar dhe mbi 10.0 ha deri në 20 ha, të rritet me 50% të vlerës për hektar.

Mbarështimi i bletarisë do të mbështetet me një vlerë prej 1 mijë lekësh për koshere për fermat me mbi 100 koshere, për një mbështetje jo më të madhe se 150 mijë lekë. Në vendim thuhet se fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2018 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare”, për mbështetjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, peshkimit, agropërpunimit dhe zhvillimit rural, të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore, nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të mbjella me kultivarë të kërkuar nga tregu, përmirësimit të teknologjive të kultivimit, certifikimit të produkteve, rritjes e përmirësimit të kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit e përpunimit të tyre.

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*