Absurde, pagesë 10 euro për 61 kilometra në Rrugën e Kombit… Debatet

Sot janë bërë provat e para të pagesës në Rrugën e Kombit ndërsa ministria e Transportit ka paraqitur tabelën e çmimeve që janë; Një motor do të paguajë 2.5 euro taksë, një veturë 5 euro, autobusët dhe kamionçinat 11.2 euro, një kamion i mesën, 16.2 euro dhe një kamion i rëndë 22.5 euro. Të përjashtuar nga taksat do të jenë patrullat e policisë rrugore, shërbimet zjarrfikëse dhe auto ambulancat. Absurditeti qëndron në faktin se pjesa që ofrohet e “sistemuar” me nga dy korsi është vetëm 61 kilometra pra nga Rrësheni në Kalimash. Sigurisht që të gjithë përdoruesit e automjeteve paguajnë ende taksë rruge kur bëjnë kolauidimin e makinave e janë gati të paguajnë dhe për mirëmbajtjen e rrugës, por çmimi i vendosur nga qeveria është më i larti në rajon. Kosova ka shprehur pakënaqësinë dhe mosaprovimin ndaj taksës së vendosur nga qeveria shqiptare ne “Rrugën e Kombit”. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shprehur se të hënën do t’i drejtohet homologut të tij shqiptar, Damian Gjiknuri për të kërkuar sqarime dhe për të ulur taksën rrugore. “As një konsultë nuk kanë bërë me Kosovën. Është dashur të paktën të bisedojnë dhe të na tregojnë për këtë taksë. Të hënën, do t’ua bëj një shkresë zyrtare për një takim dhe të shohim.”, ka thënë Lekaj. “Realisht, është taksë e madhe për shqiptarët”, ka shtuar ai. Reagime kundër në lidhje me këtë çështje ka pasur edhe në Shqipëri. Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar duke e quajtur skandal vendosjen e tarifës rrugore sidomos për kosovarët, të cilët dërgojnë deri në 300 milionë euro në vit në Shqipëri. Berisha këtë pagesë e quan “taksa ‘Edvin’”, dhe është shprehur se kryeministri Edi Rama është turpi i kombit. Kryetari i deputetëve të grupit të LSI-së në kuvend i ka bërë thirrje shqiptarëve të mos e paguajnë taksën. “Refuzojeni ta paguani taksën për Rrugën e Kombit, le ta paguajë vetë qeveria. Koncesionin e rrugës e ka miratuar qeveria e koncesioneve të pista. Qytetarët nuk kanë taksirat të paguajnë taksa për të kaluar në një rrugë ku kanë dhënë boll kontribut me taksat e tyre për ndërtimin e saj. Qeveria ta paguajë vetë këtë taksë, se qytetarët e kanë përmbushur tashmë, me të tepërt bile detyrimin e tyre”, shkruan Vasili. Reagim ka pasur dhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Ai thotë se “Taksa Rama” në Rrugën e Kombit është grabitje e dyfishtë e shqiptarëve dhe barrierë shtesë mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Më datën 1 prill 2018 fillon të aplikohet tarifa e pagesës së detyruar në të dy kalimet e Rrugës së Kombit që u ideua, u projektua dhe u ndërtua për të lidhur Shqipërinë dhe Kosovën. Me vendosjen e kësaj tarife, ky projekt merr një goditje të rende nga klani kriminal që qeveris sot Shqipërinë. Partia Demokratike ka hedhur e para idenë e një studimi tërësor për mundësinë e aplikimit të tarifave të lehta, transparente, të përballueshme nga të gjithë, për të kontribuar kështu në mirëmbajtjen e rrjetit rrugor shqiptar. Por aplikimi i këtyre tarifave do të lidhej me zbatimin e një parimi universal, me ekzistencën e rrugëve alternative, pa pagese. Do te lidhej po kështu me parimin e mostaksimit të dyfishtë, pra me heqjen e taksës së qarkullimit të automjeteve”, sqaron kreu i PD-së.

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*