“Freedom House”, Rama autoritarist, ka shumicën në parlament

Organizata  “Freedom House” e rendit Shqipërinë mes vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën dhe Malin e Zi. Ndërsa vendet e tjera të rajonit, Kroacia, Serbia, por edhe fqinjë i Shqipërisë Greqia rendin krah vendeve të lira. Sipas raportit të publikuar nga “Freedom House” me titull “Liria në Botë 2018”, autoritarizmi i Edi Ramës, mosarrestimi i Saimir Tahirit, zgjedhja Ilir Metës president, zgjedhja e kryeprokurores Arta Marku me 69 vota në parlament, tregojnë që Shqipëria nuk është një vend i lirë. Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës thuhet se: “Progresi i shënuar në luftën kundër kanabisit, u zhbë nga zbulimi se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës. Arritjet në luftën kundër korrupsionit në administratë u zbehën nga zgjedhja e Ilir Metës president, i cili, në perceptimin e shumë qytetarëve është një simbol i korrupsionit, ashtu edhe nga zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”.

Raporti vë në dukje edhe nuancat autokratike që pati vendimi për të zgjedhur Arta Markun në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe pafuqinë e opozitës dhe Ilir Metës për të penguar Edi Ramën.

“PD në opozitë, duket në një proces shpërbërjeje pas rezultatit më të keq në 25 vite, ndërsa presidentit të ri i mungon kredibiliteti për ta penguar abuzimin me pushtetin nga ekzekutivi”, thuhet në raport duke shkuar më tej; “Për 2018, në Shqipëri janë dhënë premtime për një qeverisje më të mirë, por në të njëjtën kohë ekziston rreziku për kalimin në autoritarizëm. Me një mazhorancë solide në parlament, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë shansin të çojnë përpara reforma për uljen e korrupsionit në gjyqësor dhe ryshfetin në administratën publike. Në anën tjetër, kontrolli i plotë që ka mbi partinë dhe shumica solide në parlament, e kombinuar me një kontroll të rreptë në qeveri, mund të çojnë në tendenca autoritariste që mund t’i çojnë institucionet e tjera shtetërore nën kontrollin e kryeministrit”.

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*