Humb jetën në Letoni ushtarakja shqiptare, dy plagosen

Shpërthimi i një mine në Letoni, gjatë stërvitjes ushtarake, ka shkaktuar vdekjen e një ushtarakeje shqiptare dhe dy të tjerë janë plagosur. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së hënës ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontingjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forward Presence”. Nëntetarja Zarife Hasanaj e cila ishte për herë të parë në një mision jashtë shtetit, humbi jetën ndësa të plagosurit janë komandanti i kontingjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Në një dalje për mediat, të rezervuar në detaje, Komandanti i Forcave të Armatosura Kombëtare në Letoni, si edhe sekretari i NATO-s, informuan mbi c’ka u regjistrua mëngjesin e sotëm në bazën Adazi.

Ata theksuan se ende është e paqartë se si ka ndodhur shpërthimi i minës, që i mori jetën 32 vjeçares shqiptare, ndërsa njoftuan se policia vendase dhe forcat e armatosura kanë nisur hetimet mbi shpërthimin. Në bazë është ndërprerë trajnimi derisa të përcaktohen shkaqet e asaj c’ka ndodhi. “Kam urdhëruar një inspektim të plotë në bazë për të gjetur mina ende të pashkelura, deri atëherë nuk do të ketë trajnim”, tha komandant Kalnins. I pyetur nëse viktimat dhe familja e të ndjerës do të kompensohen, Kalnins theksoi se kompensimi do të paguhej në përputhje me ligjin shqiptar, por Letonia shprehu gatishmërinë për të transportuar trupin në atdhe. Zyrtarët letonezë i shprehën ngushëllimet e tyre familjes së ushtarakes që ndërroi jetë, ndërsa e konsideruan ngjarjen një incident tragjik. Në ngushëllime janë bashkuar dhe diplomatë të SHBA-ve dhe politikanë shqiptarë.

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*