Paloka: Tahiri nuk arrestohet se ka garancinë e Ramës

Nënkryetari i PD Edi Paloka njëkohësisht dhe kryetar i komisionit të posaçëm për çështjen “Tahiri” u shpreh se mosarrestimi i ish-ministrit të Brendshëm, vjen pas garancisë që ka marrë ai nga kryeministri Edi Rama. Ai sjell dhe argumente që sipas tij tregojnë përfshirjen e kryeministrit në këtë çështje ndërsa shton se komisioni do të hetojë edhe Edi Ramën.

Deklarata e Palokës

Çdo minutë që kalon që nga dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit, vërteton qartazi se ky akt nuk është gjë tjetër veçse një lojë e tij dhe e kapos së tij në përpjekje për ti hedhur hi syve të shqiptarëve dhe për të mashtruar ndërkombëtarët. Rama mendon se me këtë veprim do të arrijë të mashtrojë jo vetëm ata që i kanë kërkuar kokën e Tahirit si një prej parakushteve për hapjen e negociatave por mendon se do të mashtrojë të gjithë shqiptarët. Vazhdon ti marrë shqiptarët për naivë dhe për budallenj. Nuk ka njeri që ta besojë se akti i Tahirit ishte, siç thotë Rama, një akt i pavarur dhe i kryer në padijeni të Ramës. Çdo gjë bëhet me shpresën që Rama do të mashtrojë shqiptarët dhe ndërkombëtarët.

Në fakt me këtë akt që kanë ndërmarrë të dy, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do u vërtetojnë si shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, edhe një akuzë tjetër që ne kemi ngritur prej kohësh që ky zotëri ka kapur tërësisht dhe ka marrë në duart e tij edhe drejtësinë. Çfarë ka ndodhur nga 6 muaj kur për herë të parë prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit?! Çfarë ka ndodhur që sot Tahiri vazhdon të dredhë i lirë dhe i pashqetësuar?!

Para 6 muajsh, prokuroria e Krimeve të rënda me fakte që kishte ajo dhe me fakte që kishin ardhur nga prokuroria e Katanias, kërkoi në Parlament arrestimin e Tahirit. Arrestim që nuk u lejua nga Edi Rama i cili urdhëroi grupin e tij parlamentar të votojë kundër këtij arrestimi duke bllokuar drejtësinë. Sot, 6 muaj pas kësaj kërkese të prokurorisë të vetme ngjarje që lidhen me këtë çështje kanë qënë kapja e Orest Sotës me gati 900 mijë euro cash në makinë e tij dhe bashke me këto euro edhe 2 patentat e skafeve të Tahirit. Nëse e mbani mend, Tahiri i akuzuar nga Zagani dhe PD se ka në zotërim të tij edhe një skaf i cili gjithashtu është përdorur nga Habilajt si makina për trafik droge, e ka mohuar. Ashtu siç beri me makinën dhe siç vazhdon të bëjë edhe sot duke mashtruar këdo, kapja e patentave në makinën e Orest Sotës vërtetoi se këto akuza të PD ishin të drejta.

Por të kthehemi te ngjarja. Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe që Tahiri nga kërkesa e prokurorisë për të qënë në arrest sot vazhdon të bredhë i lirë. Vetëm kjo ka ndodhur që lidhet me çështjen. Një akt dhe një ngjarje tjetër që e rëndon disa fish situatën e Tahirit. Ju kujtoj se menjëherë pas kësja ngjarje, pas kapjes së Orest Sotës, Tahiri mbylli gojën dhe nuk foli më. Nuk bëri me cubin nëpër ekrane siç kishte bërë deri në atë ditë. Dhe kjo sepse fakti i fundit, kapja e Sotës me 900 mijë euro dhe patentat e Tahirit i vuri vulën gjithëçkaje për të gjithë ata që duan të shohin dhe të kuptojnë.

Ndërkohë në vend që me dorëzimin e mandatit Tahiri të përfundonte në burg, sot vazhdon të jetë i lirë dhe siç kemi deklaruar ne në marrëveshje me Edi Ramën do të mbetet i lirë. Pse?! Sepse ajo që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe ka qënë shumë më e rëndë se kaq. Edi Rama ka kapur prokurorinë dhe drejtësinë dhe siç kemi deklaruar ne që në fillim, PD, që në momentin e kapjes së prokurorit të përgjithshëm, i vetmi qëllim i Ramës ishte mbrotja e Tahirit, dmth mbrotja e vetes. Sepse nuk ka shqiptar dhe ndërkombëtar që të mos e besojë se Tahiri nuk bëri asgjë në kokën e vetë. Kanabizimi i Shqipërisë, futja e parave të drogës për të marrë pushtetin nuk ishte thjeshtë projekti i Tahirit.

Projekti ishte i Ramës dhe u zbatua nga Tahiri dhe bandat e rilindjes. Për këtë arsye sot Tahiri vazhdon të jetë i lirë çuditërisht, ndërkohë që duhet të ishte prapa hekurave sepse ka garancinë e plotë të prokurorit të përgjithshëm Edvin Rama.

Ndërkohë si kryetar i Komisionit Hetimor që rëndom quhet komisioni Tahiri por që në fakt po të shihni objektin është ngritur për të hetuar Ramën bashkë me Tahirin, ju garantoj se çfarëdo që të bëjë Prokuroria e kapur nga Rama, të hapë apo të mbyllë çështje, ky komision do të vazhdojë të bëjë rolin e tij deri në fund, derisa të vërtetojë atë që përmenda më lart se projekti, strategjia e kanabizimit, trafikimit të drogës, dhe blerjes se zgjedhjeve dhe pushtetit me paratë e drogës nuk ishte thjehstë lojë e Tahirit por ishte një projekt që u ideua nga Edi Rama dhe u zbatua nga Rama dhe Tahiri. Ne do të vazhdojmë deri në fund me gjithë pengesat që po i krijohen komisionit derisa ky fakt që sot dihet botërisht të vërtetohet edhe me dokumente.

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*