Kush e njeh më mirë realitetin shqiptar, “kolumbianët” e Shqipërisë apo shqiptarët e “Kolumbisë”?

10 lapsuse logjike që nxjerrin zbuluar tendencën dhe njëanshmërinë në dokumentin e “Freedom House”

Endrit Shehu

Një raport i “Freedom House” i nënshkruar nga një asistent profesor shqiptar që jeton dhe punon në Kolumbi, i cili merr përsipër të analizojë realitetin e Shqipërisë së 2017, ka shkaktuar mjaft zhurmë në Tiranë.

Si për ironi të fatit: Kolumbia njihet në botë si “atdheu i drogës” dhe Shqipëria njihet në botë si “Kolumbia e Europës”.

Në vija të përgjithshme, raporti dukej gjithpërfshirës, por detajet bëjnë diferencën. Eshtë e lehtë të kuptosh se ai ka një fokus selektiv negativ: presidentin e Republikës, Ilir Meta. Le t’i marrim me radhë, 10 gabimet logjike që nxjerrin zbuluar tendencën dhe njëanshmërinë e ndihmëspedagogut që ka hartuar dokumentin në fjalë.

E para, raporti thotë se “lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President”.

E thënë kështu, duket sikur në këtë vend po bëhej nami me luftën antikorrupsion, por ja, zgjedhja e Metës president, e ndërpreu këtë betejë fisnike. Raporti dështon të shpjegojë se si e ka dëmtuar apo penguar kreu i shtetit luftën ndaj korrupsionit me zgjedhjen e tij si president. Në vitin 2017, Meta ka shërbyer gjysmë viti si kryetar parlamenti dhe gjysmën tjetër si kryetar shteti.

Lind pyetja, pse zgjedhja si president e ka penguar luftën antikorrupsion dhe qenia si kryetar parlamenti jo?

E dyta, korrupsionin e luftojnë organet e drejtësisë. Të dy postet, qoftë ai i presidentit, qoftë i kreut të Kuvendit as e pengojnë, as e bëjnë të suksesshme luftën antikorrupsion. Kjo është detyrë e prokurorisë dhe gjykatave.

Por, nëse organet e drejtësisë i kontrollon pushteti, pra qeveria, është e natyrshme që s’do ketë asnjë progres në luftën antikorrupsion.

Andaj, a do të ishte e udhës të thuhej që jo presidenti, por kryeministri i paska zbehur “arritjet në luftën antikorrupsion”?

E treta, Ilir Meta e ka marrë mbi supe gjykimin e tij penal, politik dhe publik. Penal – kur në vitin 2011 u shpall i pafajshëm në unanimitet nga Gjykata e Lartë. Politik – kur në vitin e vështirë 2011, votat e LSI-së u bënë përcaktuese për fitoren e Lulzim Bashës si kryebashkiak i Tiranës. Publik – kur LSI-ja shënoi rritje progresive që nga viti 2011, 2013, 2015 e për të arritur maksimumin e përfaqësimit me 19 deputetë, sot në parlament.

Por, presupozohet që raporti i “Freedom House” i përket vitit 2017, jo 2011.

Mentaliteti dhe filozofia “fajin e ka Saliu” mbizotëron ende sot tek shoqëria civile e Rilindjes, që realitetin e sheh me sytë e të kaluarës, pavarësisht se kryeministri Edi Rama ka 5 vjet (vini re: 5 vjet) në drejtimin e vendit.

E katërta, raporti i Freedom House shkruan se për ta përcaktuar Ilir Metën si “simbol të korrupsionit” ka përdorur si referencë një shkrim pa autor të portalit Lexo.al.

Pa vënë në dyshim ndershmërinë politike dhe intelektualë të portalit, një raport serioz nuk mund të bazohet mbi shkrime anonime.

Ka qindra artikuj gazetareskë që e cilësojnë Edi Ramën si simbol korrupsioni. Lind pyetja: Pse hartuesi i raportit nuk i ka marrë këto parasysh dhe nuk i ka reflektuar në raport?

E pesta, hartuesi i raportit mund të pretendojë se, ka qenë i detyruar të përfshijë Ilir Metën në raport, pikërisht ngaqë vitin e kaluar ai mori postin e rëndësishëm në krye të shtetit. Çështja shtrohet: po atë vit, pra më 2017, Edi Rama rimori postin e kryeministrit. Si është perceptimi publik për të – si mendon njerëzia – Edi Rama është i korruptuar apo i pakorruptuar? Kësaj pyetje, raporti nuk i jep përgjigje.

E gjashta, në vitin 2017, Gramoz Ruçi u zgjodh kryetar i Kuvendit, pra nr. 2 në hierarkinë shtetërore. Pra, ish-ministri i Brendshëm i diktaturës, në kohën e të cilit u ekzekutuan dhjetëra shqiptarë në kufi, u riciklua pas 26 vitesh në drejtimin e “tempullit të demokracisë”.

Lind pyetja: nuk i bën përshtypje ky fakt hartuesit të raportit të “Shtëpisë së Lirisë” apo “Freedom House”? Cili është perceptimi dhe mendimi i opinionit publik për Gramoz Ruçin: a është ai i korruptuar apo i pakorruptuar?

E shtata, kur vjen puna tek “perceptimi”, zor se gjen ndonjë politikan shqiptar – të gjallë e të vdekur – për të cilin përceptimi të jetë: ky është i pakorruptuar. Shqiptari i thjeshtë historikisht nuk ka patur një mendim të mirë për politikën ndaj të thuash që “perceptohet si politikan i korruptuar” nuk ke thënë asgjë.

Lind pyetja: pse nuk është reflektuar në raport perceptimi i qytetarëve për politikanë të tjerë të rëndësishëm, të majtë e të djathtë?

E teta, raporti thotë se në vitin 2011, Edi Rama e paska cilësuar Metën si simbol të gjithçkaje të korruptuar. Vallë, pse raporti nuk reflekton edhe cilësimet e anasjellta, pra të Ilir Metës për Edi Ramën?

E nënta, në vazhdën e sulmeve, hartuesi i raportit shkruan se “Ilir Meta nuk e kishte besueshmërinë për të mos lejuar abuzime të mundshme me pushtetin nga ekzekutivi”.

Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, pra sikur besueshmëria e Metës të jetë zero: si vallë një president Republike mund të ndalojë abuzimet e qeverisë me pushtetin? A kanë qenë të besueshëm paraardhësit e Metës dhe a u bënë pengesë e abuzimit me pushtetin Bujar Nishani, Bamir Topi, Rexhep Meidani…? Kjo është tallëse: E vërteta është se presidenti nuk ka mundësi dhe hapësira kushtetuese për të penguar abuzimin e qeverisë me pushtetin.

E dhjeta, njeriu që ka firmosur raportin për të cilin “Freedom House” kujdeset të thotë se është mendimi i vetë autorit dhe jo qëndrim i zyrtar i organizatës, jeton dhe punon në Medellin, Kolumbi.

Pyetja shtrohet: kush e njeh më mirë Shqipërinë “kolumbianët” e Shqipërisë apo shqiptarët e “Kolumbisë”?

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*