Rama prezanton portalin, studentët: Nisim protestat

Portali u-trasparenca.al, që u prezantua nga kryeministri Rama do të publikojë gjithçka që ka lidhje me buxhetin në institucionet e arsimit të lartë. “Besoj që në këtë rast ne kemi vënë në dispozicion të universiteteve një instrument garancie, që duhet të përdoret nga Universitetet dhe do të monitorohet nga qeveria për aq sa i takon qeverisë, sepse kjo nuk është detyrë e qeverisë, por e universiteteve. Pika më delikate e çdo organizate që shpenzon, që është buxheti të publikohet në të gjithë elementët e vet, jo vetëm si buxhet vjetor, por edhe si buxhet afatmesëm. Portal jep mundësinë e një pasqyre të dhënash shumë të detajuara”,-tha Rama në fjalën e tij duke shtuar se brenda këtyre dy viteve do të investohet masivisht thuajse në çdo universitet si në infrastrukturë ashtu edhe në laboratorë. Kryeministri Edi Rama tha se përgatitjet kanë nisur edhe për kartën e studentit. Sipas tij, faza e parë e impelemtimit do të nisë me Bashkinë e Tiranës. Por menjëherë pas takimit të kryeministrit, lëvizja “Për Universitetin” ka paralajmëruar protesta masive shumë shpejt nga ana e studentëve. “Në këto kushte, studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare”,-thotë në reagimin e saj lëvizja “Për universitetin”. Kjo e fundit shtoi se qeveria nuk do tu japë zgjidhje problemeve të tyre. “Gjatë takimit propagandistik të radhës, kryeministri Rama u kujtoi studentëve se si qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre. Në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate. Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria. Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur. Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare”,-theksojnë studentët në reagimin e tyre.

Komentet

Përgjigju

Your email address will not be published.


*